Pas komunikimit zyrtar nga SPAK për akuzat ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa personave të tjerë të përfshirë në hetime, kanë nisur të dalin në dritë aktet hetimore të bëra publike nga avokatët mbrojtës.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Deri më tani janë identifikuar dy persona që kanë ndryshuar dëshmitë dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë. Një prej tyre është Adela Kondakçiu, ish-financiere dhe e njohur si person shumë i afërt me Ajola Xoxën. Ajo është gruaja e parë që është bërë e penduar në një dosje të SPAK.
Personi i dytë është Gentian Sula, i lidhur me kompaninë NOA. Fillimisht u raportua se ai kishte garantuar për shumën prej njëqind e pesëmbëdhjetë mijë euro, por më pas ai e ka ndryshuar dëshminë duke deklaruar se gjithçka ishte organizuar nga Ajola Xoxa.
Në aktet e zbardhura së fundmi, del edhe një dëshmitar i tretë. Bëhet fjalë për Marisa Nito (Abule), bashkëshortja e Elman Abules, mik i afërt i Erion Veliajt, me të cilin është udhëtuar edhe në destinacione të largëta si Japonia. Marisa ka dhënë dëshmi të konsiderueshme që kanë ndihmuar prokurorinë në mbledhjen e provave.
Sa i takon vetë Elman Abules, ai është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai rezulton të jetë i dënuar më parë në Belgjikë për përfshirje në grupe kriminale dhe pastrim parash.
Abule është subjekt i një hetimi të thelluar nga SPAK, ku dyshohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë ka kryer veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale. Në këtë aktivitet të dyshuar janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre, të cilat sipas akteve kanë pasur rol në menaxhimin e kompanive të ngritura për të maskuar aktivitetin e paligjshëm.
Prokuroria ka vënë në dukje se janë sekuestruar asete në vlerën e pesëdhjetë milionë eurove që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal të Abules dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Përveç pastrimit të parave, ndaj Elman Abules rëndon edhe akuza për kontrabandë me mallra të licencuara. Skema e dyshuar është ndërtuar përmes themelimit të disa shoqërive tregtare, të cilat në dukje operonin ligjërisht, por në realitet shërbenin për të legalizuar të ardhurat e përfituara nga veprimtari të jashtëligjshme.
Hetimet vijojnë, dhe gjithnjë e më shumë dëshmi e prova po forcojnë pozicionin e akuzës ndaj personave të përfshirë në këtë rrjet kompleks veprash penale, përfshirë figura me profil të lartë politik e ekonomik.