Kosova po kthehet gjithnjë e më shumë në një pikë qendrore të diskutimeve për vendosjen e të dënuarve nga vendet e Evropës, duke hapur debatin për funksionin që po merr shteti në sistemin penitenciar ndërkombëtar.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Pas marrëveshjes me Danimarkën, e cila tashmë është e ratifikuar dhe parashikon sjelljen e rreth 300 të burgosurve danezë në Gjilan, në skenë ka hyrë edhe Belgjika me një plan të ngjashëm.
Dy ministre belge, Annelies Verlinden dhe Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë për të diskutuar mbi mbipopullimin e burgjeve në vendin e tyre.
Belgjika po shqyrton opsionin për ndërtimin ose marrjen me qira të një burgu jashtë vendit për të dënuarit që nuk janë rezidentë belgë. Në këtë mënyrë, synohet lehtësimi i krizës së vendeve të mbipopulluara në sistemin e tyre të brendshëm.
Gjatë vizitës në Prishtinë dhe Tiranë, do të zhvillohen takime paraprake për të parë nëse ky plan mund të realizohet në rajon.
Një tjetër pikë e agjendës është rikthimi i shtetasve shqiptarë të dënuar në Belgjikë. Aktualisht, mbi 300 shqiptarë vuajnë dënimin atje dhe shumica prej tyre nuk kanë të drejtë qëndrimi.
Sipas ministres Verlinden, transferimi i tyre në vendin e origjinës do të garantonte zbatimin e plotë të dënimit dhe njëkohësisht do të ulte presionin mbi burgjet belge.
Vizita do të përfshijë edhe diskutime mbi bashkëpunimin juridik dhe ndarjen e aseteve kriminale të sekuestruara gjatë hetimeve që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën.
Në fokus është edhe forcimi i traktateve bilaterale, që do të mundësonin një partneritet më të ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar.
Ministrja Verlinden e pranoi se Kosova dhe Shqipëria janë shfaqur gjithnjë e më shpesh në dosjet penale belge, duke u lidhur me çështje të pastrimit të parave, trafikimit dhe kontrabandës.
Nga ana tjetër, marrëveshja ekzistuese me Danimarkën mbetet një precedent i qartë për Kosovën, e cila tashmë ka hyrë në një marrëdhënie dhjetëvjeçare për akomodimin e të burgosurve të huaj.
Përfitimet financiare janë të dukshme, me mbi 200 milionë euro të premtuara, ndërkohë që Kosova po pozicionohet si një destinacion i ri për menaxhimin e të dënuarve evropianë.