Kosova bëri të ditur të mërkurën se ka pranuar një kontenier të mbushur me dronë luftarakë kamikazë të tipit Skydagger. Këtë lajm e konfirmoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se pajisjet kanë mbërritur përpara afatit të planifikuar dhe se disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e tyre.
Ai shtoi se dhjetëra ushtarakë kanë përfunduar trajnimin bazë, duke i bërë dronët gati për operim në terren.
Skydagger RTF konsiderohet si një pajisje “Ready to Fly” – e gatshme për përdorim që në momentin e blerjes, pa pasur nevojë për montim shtesë.
Paketa përfshin vetë dronin, transmetuesin radio, marrësin dhe bateritë, gjë që e bën funksional menjëherë për fluturim.
Ky model përdoret kryesisht si dron kamikazë me ngarkesë shpërthyese, por gjithashtu ka përdorime civile si vëzhgim apo misione kërkim-shpëtimi.
Karakteristikat e tij përfshijnë shpejtësinë deri në 130 km/h dhe një rreze veprimi që arrin deri në 10 kilometra.
Lajmi për këto furnizime ushtarake ka nxitur reagimin e menjëhershëm të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në një postim në X, ai e kritikoi ashpër Turqinë, duke thënë se ky vend ka shkelur Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Vuçiq u shpreh se, sipas tij, Turqia nuk ka interes për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se me këto veprime po synon një rikthim të ndikimit historik osman.
Ai theksoi se Serbia është një shtet i vogël, por “i kupton qëllimet e tyre të vërteta”.
Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një reagim zyrtar nga autoritetet turke dhe ndodhet në pritje të përgjigjes, ndërsa tema pritet të ndezë më tej debatin rajonal mbi armët moderne dhe sigurinë në Ballkan.