Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka bërë një deklaratë të fortë në një intervistë për televizionin francez LCI, duke thënë se Polonia duhet të bëhet pjesë e programit të Ndarjes së Energjisë Bërthamore dhe të ketë kapacitetet e veta bërthamore, si në fushën energjetike, ashtu edhe në atë ushtarake.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas tij, kjo do të ishte pjesë e partneritetit polako-francez, i cili do të bazohej në të ashtuquajturën Marrëveshje të Nancy, për të cilën Nawrocki shprehu gatishmërinë që ta nënshkruajë personalisht.
Ky qëndrim shihet si një vazhdim i iniciativës së paraardhësit të tij, Andrzej Duda, i cili disa herë ua kishte propozuar amerikanëve që Polonia të përfshihej në programet bërthamore të NATO-s. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kishin refuzuar, duke paralajmëruar se Varshava as nuk duhet të mendojë për t’u bërë pjesë e vendeve ku ndodhen raketat me koka bërthamore amerikane.
Në anën tjetër, Franca dhe Britania e Madhe kanë dhënë sinjale më pozitive, duke thënë se janë të gatshme t’i mbrojnë aleatët evropianë nën ombrellën e tyre bërthamore, me fokus të veçantë tek vendet e krahut lindor të NATO-s.
Në intervistë, Nawrocki pranoi se ishte ende shumë herët për të folur për zhvillimin e kokave bërthamore polake, por theksoi se Polonia duhej t’i bashkohej programeve të aleatëve për të siguruar mbrojtjen e saj strategjike.
Ai shtoi se rreziku i një sulmi rus ndaj NATO-s nuk mund të përjashtohet, veçanërisht ndaj vendeve baltike, të cilat shihen si më të ekspozuara ndaj ambicieve të Kremlinit.
Presidenti polak përmendi edhe sfidat e reja që Europa po përballet, duke e cilësuar situatën aktuale si një “luftë hibride” të udhëhequr nga Rusia.
“E dimë mirë se cili është stili negociues i Vladimir Putinit,” tha ai, duke shtuar se çdo skenar duhet marrë parasysh dhe Polonia duhet të jetë e përgatitur për gjithçka.
Ai tha se siguria nuk varet vetëm nga fuqia ushtarake, por edhe nga diplomacia dhe aftësia për të negociuar.
Në këtë kuadër, Nawrocki përmendi rolin e Presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ai është i vetmi lider që ka aftësinë të negociojë drejtpërdrejt me Vladimir Putinin për të gjetur një zgjidhje.
Deklarata e tij pritet të shkaktojë reagime në arenën ndërkombëtare, sidomos brenda NATO-s, ku çështja e përhapjes së armëve bërthamore është gjithmonë delikate.
Nëse Polonia arrin të sigurojë mbështetjen e Francës dhe Britanisë së Madhe, kjo mund të shënojë një ndryshim të madh në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe të rrisë tensionet me Rusinë.
Ky hap shihet si një sinjal i qartë se Varshava dëshiron të ketë rol qendror në strategjinë mbrojtëse të NATO-s në krahun lindor.