Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Ai theksoi se shteti i Kosovës nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për të garantuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të mbikëqyrur siç duhet.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj shmangu komentet për mbështetjen financiare nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ai, megjithatë, u ndal tek mungesa e monitorimit të gjykimit të tyre, duke e cilësuar këtë si një problem thelbësor.
Sipas tij, para së gjithash, Kosova duhej të siguronte një proces të drejtë dhe transparent, dhe kjo nuk është bërë mjaftueshëm.
Qelaj vuri në dukje se gjykata duhej të monitorohej nga një autoritet jopolitik dhe joinstitucional, siç mund të ishte një institut i të drejtave të njeriut apo një organizatë e shoqërisë civile.
Ai kujtoi se këtë shqetësim e kishte ngritur që në vitin 2021, gjatë vizitës së tij të parë, pasi garancitë verbale të gjyqtarëve dhe drejtuesve të gjykatës nuk mjaftojnë.
Qelaj shtoi se shqetësimet e qytetarëve janë legjitime, për shkak të mungesës së transparencës dhe mënyrës së trajtimit të provave në këtë proces.
Ai përmendi se seancat dhe dokumentet shpesh publikohen të redaktuara, përkthimet kanë probleme dhe përdoren prova të dyshimta, madje edhe të siguruara nga shërbime sekrete të shteteve armiqësore me Kosovën.
Në këtë kontekst, ai pyeti nëse kjo gjykatë po vepron me të vërtetë për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të akuzuarve, viktimave dhe dëshmitarëve.
Sipas Avokatit të Popullit, është momenti që edhe Këshilli i Evropës të përfshihet drejtpërdrejt në monitorimin e Gjykatës Speciale.
Ai theksoi se kjo është e domosdoshme për t’u siguruar që gjykata të mos dalë jashtë mandatit të saj dhe të respektojë detyrimet ndërkombëtare mbi të cilat është themeluar.