Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur edhe një herë pakënaqësinë e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke i akuzuar ata për padrejtësi të vazhdueshme ndaj Serbisë dhe për përkrahje të vendeve të tjera në rajon në dëm të interesave serbe.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Në një fjalim të mbajtur të dielën, Vuçiq rikujtoi bombardimet e NATO-s në vitin 1999, të cilat, sipas tij, u kryen pa një mandat të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se si rezultat i atij ndërhyrjeje, Serbia humbi 14 përqind të territorit të saj.

Duke përmendur operacionin “Stuhia” në Kroaci – një operacion ushtarak që u konsiderua vendimtar për fitoren kroate – Vuçiq ndërlidhi këtë ngjarje me zhvillimet në Kosovë, duke përdorur një ton emocional e kritik ndaj mënyrës se si është trajtuar Serbia ndër vite.

Ai u ndal veçanërisht tek situata në veriun e Kosovës, duke deklaruar se komunat me shumicë serbe janë nën “pushtim”, sipas tij, dhe udhëhiqen nga “okupatorët”.

Vuçiq hodhi akuza të rënda edhe ndaj serbëve që punojnë në institucionet e Kosovës, duke i quajtur ata “shërbëtorë” dhe duke i akuzuar për tradhti ndaj popullit dhe shtetit serb.

“Në zgjedhjet e mbajtura dy vjet e gjysmë më parë në veri të Kosovës, pjesëmarrja ishte vetëm 2.5 përqind, dhe megjithatë u njohën si zgjedhje të rregullta dhe demokratike”, u shpreh ai, duke e konsideruar këtë si shembull të standardeve të dyfishta ndërkombëtare.

Vuçiq kritikoi ashpër ata që, sipas tij, janë të gatshëm të braktisin idealet dhe identitetin kombëtar për interesa personale. “Këta janë njerëz me shpirt skllevërie, që u pëlqen t’i shërbejnë të tjerëve”, tha ai.

Sipas tij, ata janë të gatshëm të braktisin besimin, kombin dhe shtetin vetëm për të qenë të pranishëm në një mbrëmje festive apo për të përfituar favore.

Megjithatë, ai u shpreh se shumica e serbëve nuk janë të tillë dhe se ata duan të ruajnë dinjitetin dhe lirinë e tyre.

Fjalimi i Vuçiqit vjen në një kohë kur brenda Serbisë po rritet pakënaqësia për shkak të korrupsionit, problemeve ekonomike dhe akuzave për autoritarizëm.

Përballë këtyre sfidave të brendshme, Vuçiq vazhdon të përdorë retorikë nacionaliste dhe fetare, duke u fokusuar veçanërisht në çështjen e Kosovës për të galvanizuar mbështetje publike.

Ai ka deklaruar vazhdimisht se Kosova është pjesë e pandashme e identitetit historik, kulturor dhe fetar të Serbisë, ndërkohë që akuzon ndërkombëtarët për shpërfillje të këtij realiteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *