Dhomat e Specializuara në Hagë kanë refuzuar sërish kërkesat për lirim të përkohshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Pas vendimit për Jakup Krasniqin, i njëjti trajtim është aplikuar edhe ndaj Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Ndërkohë, paraburgimi është vazhduar edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili këtë herë nuk ka paraqitur kërkesë për lirim të përkohshëm.

Sipas Trupit Gjykues, vendimi është marrë për shkak të shqetësimeve lidhur me rrezikun e mundshëm të pengimit të drejtësisë dhe ndikimit mbi dëshmitarët, edhe pse nuk është konstatuar rrezik i arratisjes.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se, për shkak të roleve dhe pozitave të mëparshme publike, të pandehurit mund të kenë ende ndikim që mund të cenojë zhvillimin e rregullt të procesit gjyqësor.

Avokati mbrojtës Ardian Bajraktari e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe të pambështetur në ligj. Ai ka deklaruar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e paraburgimit me masa më të lehta.

Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së kanë treguar bashkëpunim të plotë me Dhomat e Specializuara dhe i janë përgjigjur çdo ftese të autoriteteve gjyqësore.

Bajraktari ka theksuar gjithashtu se dëgjimi i dëshmitarëve të Prokurorisë ka përfunduar, çka sipas tij e zvogëlon ndjeshëm çdo rrezik për ndërhyrje në proces.

Ai ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit të Dhomave të Specializuara me Belgjikën për mbajtjen e të dënuarve, duke theksuar se kjo përbën një praktikë të zakonshme dhe të paraparë me ligj.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur Nenin 50 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili lejon nënshkrimin e marrëveshjeve me shtete të treta për pranimin e personave të dënuar.

Mbrojtja e Kadri Veselit kishte propozuar një sërë masash alternative sigurie, përfshirë dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit, mbikëqyrje nga Policia e Kosovës dhe kufizim të kontakteve të paautorizuara.

Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se, pavarësisht përmirësimit të kapaciteteve institucionale në Kosovë, këto masa nuk janë të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe integritetin e procesit gjyqësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *