Operatori për Transmisionin e Energjisë, KOSTT, ka paralajmëruar dje për një situatë të rëndë në sistemin energjetik të Kosovës, dhe tashmë qytetarët raportojnë reduktime të rrymës në Prishtinë dhe komuna të tjera.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Sipas informacionit të siguruar nga banorë të ndryshëm, disa familje përdorin energjinë elektrike për ngrohje, duke e bërë situatën më shqetësuese për shkak të dimrit të ftohtë. Reduktimet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së sotme.

KOSTT njofton se kjo situatë ka ardhur si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë nga KESCO për të mbuluar nevojat reale të konsumit. Në njoftim thuhet se jo-balancat në sistem tejkalojnë mbi 200 MW në orë të caktuara.

Për stabilizimin e sistemit, KOSTT ka ndërmarrë masa, duke përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit dhe organizimin e ankandeve brendaditore. Megjithatë, për shkak të diferencës të madhe midis nominimeve dhe konsumit, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo-balancat.

KOSTT ka theksuar se devijimet po ndikojnë negativisht edhe në rrjetin interkonektiv evropian dhe rrisin rrezikun për stabilitetin e sistemit, duke përfshirë edhe mundësinë e marrjes së masave ndëshkuese ose rrezikimit të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.

Për të garantuar funksionimin e sigurt të rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime) sipas nevojës, duke respektuar përgjegjësitë ligjore dhe operative.

Menjëherë sapo situata të balancohet, KOSTT ka premtuar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për stabilizimin e sistemit.

Raportimet e qytetarëve tregojnë se reduktimet kanë filluar në disa lagje të Prishtinës dhe janë përhapur edhe në komuna të tjera, duke shkaktuar shqetësim, sidomos për ata që përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

Në një komunikatë të mëtejshme, KOSTT ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe ka siguruar se po monitoron situatën 24 orë dhe po punon për zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë, lajmet nga KEK tregojnë se blloku B1 raportohet të ketë rënë dje, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Situata e krijuar nënvizon rëndësinë e menaxhimit të energjisë dhe nevojën për sigurimin e rezervave të mjaftueshme për të përballuar periudhat e konsumit të lartë.

Qytetarët janë të këshilluar të përdorin energjinë me kursim dhe të ndjekin njoftimet zyrtare nga KOSTT dhe KEK për çdo zhvillim të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *