Pas më shumë se një dekade në ekran, seriali i dashur për publikun “Çka Ka Shpija” po i vjen zyrtarisht fundi. Autori dhe krijuesi i projektit, Naser Rafuna, ka njoftuar përmbylljen e këtij rrugëtimi të gjatë përmes një mesazhi emocional drejtuar audiencës.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Seriali nisi transmetimin e tij në vitin 2014 në RTK, ku u shfaq për disa sezone, për të vazhduar më pas në Klan Kosova deri në fund të këtij viti. Gjatë kësaj kohe, “Çka Ka Shpija” u shndërrua në serialin më jetëgjatë në historinë televizive ballkanike.
Me një numër të madh episodesh dhe sezonesh, projekti u kthye në një pjesë të përditshmërisë së shikuesve, duke krijuar një lidhje të fortë emocionale me publikun. Ky sukses, sipas Rafunës, ishte mbi të gjitha rezultat i besimit dhe dashurisë së audiencës.
Si autor, producent, skenarist dhe aktor, Rafuna shprehu mirënjohje të thellë ndaj Zotit, publikut dhe gjithë bashkëpunëtorëve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi, pavarësisht roleve të ndryshme që kanë pasur në proces.
Ai theksoi se vendimi për ta mbyllur serialin erdhi nga bindja se çdo projekt ka një fillim dhe një fund, dhe se masa dhe koha janë pjesë e kulturës artistike. Episodi i fundit do të transmetohet në Klan Kosova më 1 janar 2026.
Rafuna u shpreh i lumtur që personazhet u jetësuan, aktorët u rritën profesionalisht dhe shumë prej tyre u afirmuan përmes këtij seriali. Ai e përshkroi rrugëtimin si një proces me ulje dhe ngritje, por gjithmonë të mbushur me përvoja dhe mësime.
Në mesazhin e tij, ai pranoi se gjatë viteve ka përjetuar edhe sulme të forta, të brendshme dhe të jashtme, por theksoi se dashuria dhe përkushtimi ndaj punës kanë qenë forca që e kanë mbajtur përpara.
Autori falënderoi publikisht RTK-në dhe Klan Kosovën për hapësirën dhe besimin, duke theksuar se gjatë gjithë transmetimit nuk ka përjetuar asnjëherë censurë, gjë që sipas tij flet për një shoqëri mendjehapur.
Një falënderim i veçantë iu drejtua drejtuesve dhe ekipeve realizuese të të dy mediave, si dhe Devolli Corporation, për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj projektit.
Rafuna shprehu respekt të thellë për ekipin artistik, duke përmendur me emra një numër të madh aktorësh dhe bashkëpunëtorësh që kontribuuan ndër vite, si dhe studentët e aktrimit të cilëve u ishte dhënë mundësia të bëhen pjesë e serialit.
Në fund, ai theksoi se pas gjithë këtij rrugëtimi nuk i ka mbetur borxh askujt, duke e konsideruar këtë si një nderim të madh personal dhe profesional.
Edhe pse “Çka Ka Shpija” po mbyllet, Rafuna paralajmëroi projekte të reja që do të nisin së shpejti, duke siguruar publikun se rrugëtimi artistik vazhdon. Mesazhi përmbyllës ishte një falënderim i sinqertë për audiencën që e mbajti serialin gjallë për kaq shumë vite.