Lista Serbe është gjobitur me 20 000 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore. 
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Vendimi i Zyrës së Ankimeve erdhi pas një ankesë të bërë nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili pretendoi se Lista Serbe kishte vendosur materiale propagandistike në mënyrë të paligjshme në zonën e komunës së Leposaviqit. 
Ankesa përfshinte pretendimin që në disa vende të ndryshme janë vendosur posterë e materiale promovuese pa lejen e autoriteteve kompetente. 
Sipas panelit, provat e paraqitura përfshinin fotografi që tregojnë vendosjen e materialeve në hapësira publike pa autorizim zyrtar. 
Materialet ishin vendosur në vende si shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime dhe trafo-stacione, si dhe në rrugë publike. 
Paneli konstatoi se ky veprim përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor, pasi vendosja e materialeve propagandistike në hapësira publike kërkon leje nga organet përkatëse. 
Lista Serbe nuk ka paraqitur një përgjigje zyrtare ndaj ankesës brenda afatit të kërkuar nga paneli. 
Për shkak të këtij qëndrimi, vendimi i panelit mbeti në fuqi dhe u dha gjoba financiare për subjektin politik. 
Përveç detyrimit për të paguar gjobën, paneli urdhëroi edhe largimin e materialeve të paligjshme nga vendet ku ishin vendosur. 
Në njoftimin e tij, paneli paralajmëroi se mosrespektimi i urdhrit për largimin e materialeve mund të sjellë sanksione shtesë ndaj Listës Serbe. 
Ky vendim vjen në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme janë në fokus të debatit publik dhe vëmendja është e lartë për respektimin e rregullave zgjedhore. 
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa theksoi rëndësinë e respektimit të legjislacionit për të siguruar një fushatë të ndershme dhe të drejtë për të gjitha subjektet politike.