Shkollat në Mbretërinë e Bashkuar po përballen me një valë të fortë sëmundjesh, duke bërë që shumë prej tyre të mbyllen përkohësisht. Autoritetet raportojnë një rritje të madhe të mungesave si tek nxënësit, ashtu edhe tek stafi.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Drejtues të disa institucioneve arsimore pohojnë se situata po u kujton ditët e pandemisë, pasi shpërthimet virale po përhapen me shpejtësi brenda komuniteteve shkollore.
Një nga zonat më të goditura është Uellsi, ku shkolla St Martin’s në Caerphilly u detyrua të kalojë mësimin online. Mbi 250 nxënës dhe mësues u prekën brenda pak ditësh.
Simptomat e raportuara nga të sëmurët variojnë nga të vjellat dhe diarreja, te temperatura e lartë, kollitja dhe lodhja e përgjithshme. Mjekët theksojnë se rikuperimi po zgjat rreth një javë.
Edhe rajone të tjera britanike po përjetojnë valë të ngjashme mungesash. Në County Londonderry janë shënuar deri në 170 nxënës të sëmurë në një ditë të vetme.
Në qarkullim po dominon një lloj gripi i fortë, i njohur si H3N2, i quajtur edhe “supergripi”. Ky variant po përhapet shpejt dhe po shoqërohet me simptoma më të rënda se zakonisht.
Spitalet në Londër raportojnë trefishim të numrit të pacientëve të shtruar me grip krahasuar me një vit më parë, çka po rrit presionin mbi shërbimet shëndetësore.
Përballë situatës në përkeqësim, autoritetet shëndetësore po i bëjnë thirrje qytetarëve të rikthejnë përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura dhe të populluara.
NHS paralajmëron se vendi mund të përballet me një valë të re infeksionesh gjatë ditëve në vijim, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të shtrimeve në spital.
Përveç rasteve në shkolla, edhe udhëtimet detare janë goditur nga viruset. Rreth 100 persona në një anije turistike janë infektuar me norovirus gjatë një udhëtimi ndërkombëtar.
Ky shpërthim në bord ka shtuar shqetësimin e përgjithshëm, pasi shumë pasagjerë janë prekur pothuajse njëkohësisht dhe në mënyrë të ngjashme.
Autoritetet britanike u kërkojnë qytetarëve të tregojnë kujdes, të monitorojnë simptomat dhe të qëndrojnë në shtëpi nëse shfaqin shenja të gripit apo viruseve të tjera.