Përgatitjet për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” kanë nisur zyrtarisht, ndërsa produksioni duket se tashmë ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së konkurrentëve.
Moderatori i spektaklit, Alaudin Hamiti, ka ndarë detajet e para nga prapaskenat, duke rritur kureshtjen e publikut për sezonin e ri.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Alaudini ka treguar se puna për përzgjedhjen e kastit është duke vazhduar.
Në imazhin e publikuar prej tij shihet një tabelë ku janë vendosur fotografi të disa konkurrentëve të ardhshëm, të cilat janë mjegulluar për të mos zbuluar identitetet e tyre.
Krahas fotografisë, moderatori ka ndarë edhe një mesazh misterioz për ndjekësit e tij.
“Prapa këtij blluri fshihen emrat dhe fytyrat që do të pushtojnë çdo bisedë tuajën këtë sezon. Kasti më i fuqishëm deri sot”, ka shkruar Hamiti.
Deklarata e tij ka shtuar edhe më shumë interesimin e publikut për emrat që mund të jenë pjesë e edicionit të pestë.
Hamiti ka lënë të kuptohet se produksioni është duke u treguar veçanërisht i kujdesshëm në përzgjedhjen e banorëve.
Përzgjedhjen e konkurrentëve, ai e ka krahasuar me një “vepër arti”, duke nënkuptuar se synohet krijimi i një grupi me personalitete dhe karaktere të ndryshme.
Një kombinim i tillë pritet të sjellë më shumë dinamika, debate dhe situata interesante brenda shtëpisë.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë publike data zyrtare e nisjes së sezonit të ri dhe as emrat konkretë të banorëve.
Publikimi i Alaudin Hamitit është sinjali i fundit se puna për “Big Brother VIP Kosova 5” tashmë ka hyrë në një fazë intensive, ndërsa publiku mbetet në pritje të zbulimeve të radhës.









