Memli Krasniqi ka njoftuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një konference të jashtëzakonshme për media të mbajtur pasditen e së mërkurës.
Ai tha se një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë edhe guximin për të krijuar hapësirë për ndryshim brenda vetes.
Krasniqi sqaroi se vendimin e kishte marrë më herët, por zhvillimet politike dhe mungesa e institucioneve e kishin shtyrë ta bënte publik më vonë.
Sipas tij, dorëheqja nuk është e lidhur me ndonjë moment të caktuar, por është rezultat i një reflektimi të gjatë për të ardhmen e partisë.
Ai theksoi se PDK ka nevojë për një energji të re dhe për një momentum të ri politik që do ta çojë përpara.
Krasniqi u shpreh se nuk ka pasur asnjëherë ambicie për t’u bërë kryeministër dhe se kandidati i ardhshëm për kryetar partie duhet të jetë edhe kandidati për kryeministër.
Në këtë kontekst, ai përmendi Bedri Hamzën si figurën më të përshtatshme për ta udhëhequr PDK-në në fazën e ardhshme.
“Nëse Bedri Hamza kandidon për kryetar, ai e ka mbështetjen time të plotë,” tha Krasniqi, duke e cilësuar mikun e tij si lider me përvojë dhe vizion.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk është konsultuar me Hashim Thaçin apo Kadri Veselin për këtë vendim, edhe pse i respekton jashtëzakonisht si themelues të partisë.
Krasniqi nënvizoi se dorëheqja nuk nënkupton largim nga politika, pasi ai do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e PDK-së.
“Unë mbetem këtu, me të njëjtin angazhim për ta fituar betejën politike dhe për ta larguar Albin Kurtin nga pushteti,” – u shpreh ai.
Memli Krasniqi e mori drejtimin e PDK-së në korrik të vitit 2021 dhe u rizgjodh në qershor të këtij viti, duke udhëhequr partinë në tre procese zgjedhore radhazi.









