Procesi i numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Mitrovicën e Jugut është ndërprerë pas raportimeve për parregullsi serioze.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Numërimi pritet të vazhdojë nesër, pasi situata ka krijuar tension dhe kundërshtime mes komisionerëve dhe vëzhguesve.
Sipas burimeve të mirëinformuara, prokurori Shpëtim Peci kishte dhënë urdhër që numërimi të vazhdojë, por vendimi u kundërshtua menjëherë në vendngjarje.
Pas këtij kundërshtimi, në qendër ka mbërritur edhe kryeprokurori për të vlerësuar situatën nga afër.
Ndërhyrja u bë për shkak të dyshimeve për parregullsi në disa fletëvotime që nuk përputheshin me qendrat përkatëse të votimit.
Pamjet e siguruara tregojnë fletëvotime të dyshimta, ku numrat serikë nuk janë të njëjtë me vendvotimin ku janë gjetur.
Punonjësit në terren raportojnë se janë identifikuar më shumë se njëzet raste të tilla të dyshuara.
Nacionale ka kërkuar sqarime nga Prokuroria, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar.
Më herët, përfaqësues të PDK-së në Mitrovicë kanë denoncuar se ka pasur “inxhiniering zgjedhor” të organizuar.
Ata pretendojnë se disa vendvotime janë lëvizur nga një klasë në tjetrën dhe se janë gjetur fletëvotime me numra serikë të ndryshëm.
Sipas deklarimeve nga terreni, deri në këtë fazë janë numëruar rreth tridhjetë e pesë kuti votimi dhe një pjesë e madhe e tyre përmbajnë lëvizje të dyshimta.
Kryesuesi i Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë, Jahir Sumiqi, ka thënë se kanë hasur fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen dhe se situata tregon për një ndërhyrje të organizuar.