Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi të premten se ka vendosur sanksione ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Në komunikatën zyrtare thuhet se masa është marrë për shkak të rolit të tij në tregtinë e palejuar ndërkombëtare të drogës.
Përveç presidentit Petro, sanksionet përfshijnë edhe bashkëshorten dhe djalin e tij, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Kolumbisë.
Ky vendim konsiderohet një nga goditjet më të ashpra diplomatike që Uashingtoni ka ndërmarrë ndaj një udhëheqësi të Amerikës Latine kohët e fundit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se prodhimi i kokainës në Kolumbi ka arritur nivelet më të larta në disa dekada që prej ardhjes në pushtet të Petros.
Sipas tij, kjo rritje ka përmbytur tregun amerikan dhe ka ndikuar në shtimin e rasteve të abuzimit me drogë në Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se sanksionet janë pjesë e strategjisë së re amerikane për të frenuar trafikun global të narkotikëve.
Zyrtarët amerikanë e akuzojnë qeverinë e Petros për mungesë bashkëpunimi dhe për tolerim ndaj grupeve që kontrollojnë prodhimin e drogës në rajon.
Presidenti Petro reagoi menjëherë në rrjetin social X, duke mohuar kategorikisht akuzat e Uashingtonit.
Ai njoftoi se ka angazhuar një avokat amerikan për të kundërshtuar sanksionet në mënyrë ligjore.
Në reagimin e tij, Petro tha se lufta kundër trafikut të drogës ka qenë pjesë e karrierës së tij politike dhe se është paradoksale që tani po ndëshkohet nga një vend që Kolumbia e ka ndihmuar për dekada.
Ai theksoi se nuk do të tërhiqet dhe se “kurrë nuk do të përkulet para presionit”.
Tensionet mes Kolumbisë dhe administratës së presidentit Donald Trump janë rritur ndjeshëm muajt e fundit.
Situata është përkeqësuar veçanërisht pas shtimit të aktivitetit ushtarak amerikan në Karaibet jugore, që Bogota e ka cilësuar si provokim.
Sanksionet ndaj Petros u vendosën vetëm disa ditë pasi Trump deklaroi se kishte ndërprerë të gjitha ndihmat financiare për Kolumbinë.
Departamenti i Shtetit gjithashtu i anuloi vizën presidentit Petro pas përfundimit të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Edhe ministri i Brendshëm kolumbian, Armando Benedetti, reagoi ashpër ndaj sanksioneve amerikane.
Në një postim publik në rrjetin X, ai tha se kurrë nuk ka pasur lidhje me trafikantë droge dhe e quajti vendimin e Uashingtonit një akt të padrejtë dhe të motivuar politikisht.