Dy burra janë arrestuar në fshatin Banullë të Lipjanit, pasi policia ka zbuluar armë të mbajtura pa leje në autosallonin e tyre.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas raportit të policisë, gjatë një kontrolli të realizuar në bashkëpunim me njësitë e doganës, janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë pistoleta.
Përveç tyre, janë konfiskuar edhe gjashtë karikatorë dhe 20 fishekë që ndodheshin në pronësi të dy të dyshuarve.
Në kuadër të provave materiale, policia ka marrë edhe dy telefona celularë.
Gjithashtu, është sekuestruar edhe një DVR i kamerave të sigurisë të instaluara në objektin e autosallonit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është regjistruar si “Import, Eksport, Furnizim, Transportim, Prodhim, Këmbim, Ndërmjetësim ose Shitje e Paautorizuar e Armëve”.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar për në stacionin policor, ku janë marrë në pyetje nga hetuesit.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njërin prej tyre e kanë dërguar në mbajtje.
Ndërsa i dyshuari i dytë është liruar, por do të ndiqet në procedurë të rregullt gjyqësore.
Policia ka theksuar se konfiskimi i armëve dhe arrestimi i të dyshuarve është pjesë e angazhimit për të parandaluar krimin dhe rritjen e sigurisë publike.
Hetimet rreth origjinës së armëve të sekuestruara dhe qëllimit të mbajtjes së tyre pa leje po vazhdojnë.
Ky rast është bërë pjesë e raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku nënvizohet rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë për të goditur aktivitetet e paligjshme.