James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ka shërbyer si ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Dëshmia e tij përkon me fillimin e paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, proces që nis më 15 shtator.

Rubin e konfirmoi këtë gjatë një interviste, duke kujtuar rolin e tij si ndihmës i Madeleine Albrightit në krijimin e tribunalit të parë për krime lufte. Ai theksoi se do të ketë më shumë për të thënë gjatë javës së ardhshme kur të paraqitet para gjykatës.

Në këtë proces po gjykohen ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katërt akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por i mohojnë akuzat.

Rubin, në një intervistë të dhënë më herët, kishte theksuar se në fillim aktivitetet e UÇK-së ishin parë si të dyshimta, por më vonë ajo u bë pjesë qendrore e procesit të paqes. Vendimi i Hashim Thaçit për të pranuar marrëveshjen e Rambujesë, sipas tij, ishte çelësi që lejoi ndërhyrjen e NATO-s.

Ai kishte theksuar gjithashtu se UÇK-ja pati rol vendimtar në çmilitarizimin dhe në përmbushjen e marrëveshjeve pas luftës, edhe pse nuk kishte komentuar mbi akuzat për krime lufte ndaj ish-krerëve të saj.

Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se do të thërrasë dëshmitarë nga SHBA dhe Britania, përfshirë figura të njohura me staturë të lartë. Avokatët kanë përmendur se mund të thirren emra si Madeleine Albright, Richard Holbrooke dhe senatori Bob Dole.

Në këtë fazë, mbrojtja e Thaçit planifikon të paraqesë 11 deri në 12 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja e Krasniqit do të thërrasë katër dëshmitarë, dy prej të cilëve do të dëshmojnë me shkrim.

Paneli i gjyqtarëve ka parashikuar që deri më 14 nëntor të përfundojë paraqitja e dëshmive të mbrojtjes për Thaçin dhe Krasniqin. Dokumentet përfundimtare të procesit pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor.

Katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor filloi në prill të vitit 2023 dhe deri më tani prokuroria ka paraqitur 125 dëshmitarë dhe rreth 3.000 prova materiale.

Aktakuza e ngritur në vitin 2020 i ngarkon ish-krerët e UÇK-së për përgjegjësi personale dhe si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Aty përfshihen akuza për vrasjen e mbi 100 personave, paraburgime të paligjshme dhe tortura.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 me vendim të Kuvendit të Kosovës. Ato veprojnë në Hagë me personel ndërkombëtar dhe hetojnë krimet e pretenduara të UÇK-së të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2000 kundër pakicave dhe rivalëve politikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *