Ngjarja e rëndë ndodhi në fabrikën Clairton Coke Works, në pronësi të US Steel, rreth 25 kilometra nga qyteti i Pitsburgut në Pensilvani.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Sipas të dhënave të fundit nga policia, të paktën dy punëtorë humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në fabrikën e prodhimit të koksit, një lloj qymyri i ngurtë i përdorur gjerësisht në industri.

James Mandalinski, zëdhënës i policisë së Qarkut Allegheny, bëri të ditur se shpërthimi ka ndodhur në sektorin e brendshëm ku ndodhen bateritë e uzinës së koksit. Shkaqet e incidentit nuk janë zbuluar ende.

Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe gjetën trupin e një punëtori brenda objektit.

Pas kërkimeve të mëtejshme, u lokalizua dhe u nxor edhe viktima e dytë.

Një tjetër punëtor, i raportuar fillimisht i zhdukur, u gjet i gjallë dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Nëntë punëtorë të tjerë u transportuan gjithashtu në spitalet e zonës për të marrë kujdes për plagë të ndryshme.

Drejtori ekzekutiv i US Steel, David Burritt, deklaroi se kompania po bashkëpunon ngushtë me autoritetet për hetimin e shkaqeve dhe do të publikojë informacione shtesë sapo ato të jenë të disponueshme.

Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke theksuar se puna e tyre është e rëndësishme dhe sfiduese, por siguria e punëtorëve nuk duhet të rrezikohet kurrë.

Fabrika ndodhet pranë lumit Monongahela dhe është objekti më i madh industrial në SHBA për shndërrimin e qymyrit në koksi, një element kyç për prodhimin e çelikut.

Aty punojnë rreth 1,300 persona, sipas të dhënave të US Steel, kompani e cila së fundmi është blerë nga Nippon Steel.

Koksi është një qymyr i trajtuar për përdorim në metalurgji, sidomos në prodhimin e çelikut, i njohur për djegien e pastër, pak tym dhe temperaturë shumë të lartë, që e bën të përshtatshëm për proceset industriale të rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *