Komandanti ushtarak i KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka dhënë një intervistë për mediumin Kosovo Online, ku ka folur për situatën aktuale të sigurisë në vend.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas gjeneralit, gjendja e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por mbetet shumë e brishtë për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që e bëjnë situatën të ndjeshme ndaj përshkallëzimit, sidomos kur ka retorikë nxitëse ose veprime të njëanshme që perceptohen si provokime nga komunitetet.
“Situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por mbetet e ndjeshme ndaj përshkallëzimeve të mundshme,” u shpreh Barduani. “Përparësia ime është të siguroj që KFOR-i të jetë i pozicionuar mirë në terren për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë.”
Një nga sfidat kryesore që ka theksuar ai është shtrirja e plotë e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit, ku Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka kufizime të qarta.
Gjenerali Barduani ka bërë të ditur se FSK-ja mund të vendoset në veri vetëm me miratimin paraprak të tij si Komandant i KFOR-it, në përputhje me marrëveshjet ndërmjet NATO-s dhe Prishtinës.
Ai ka theksuar gjithashtu se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, KFOR-i mban autoritetin parësor mbi hapësirën ajrore të Kosovës.
“Kjo do të thotë se unë kam autoritetin për të miratuar ose refuzuar çdo qasje në hapësirën ajrore të Kosovës,” tha gjenerali.
Duke folur për kapacitetin ushtarak të KFOR-it, Barduani tha se aktualisht forca numëron rreth 4,600 trupa nga 33 vende të ndryshme, aleate dhe partnere të NATO-s.
Në rast të ndonjë përshkallëzimi të papritur të situatës në terren, NATO ka kapacitetin të dislokojë trupa shtesë nga rezervat, përfshirë edhe Forcën e Reagimit Aleat me njësi të gatshme prej rreth 1,000 ushtarësh.
Komandanti i KFOR-it ka theksuar se KFOR-i është plotësisht i përgatitur për të përmbushur mandatin e tij në përputhje me OKB-në dhe për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në Kosovë.
Në fund të intervistës, Barduani ka komentuar edhe për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke deklaruar se ndonëse kjo çështje nuk është në kompetencat e KFOR-it, mbështet që të gjitha veprimet të ndodhin në përputhje me marrëveshjet nga dialogu i Brukselit.