Policia e Korçës ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Pogradecit, ku një 31-vjeçar vrau bashkëjetuesen e tij 52-vjeçare dhe më pas i vuri zjarrin banesës.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Ngjarja ndodhi mëngjesin e datës 28 korrik 2025, në lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit. Fillimisht u dyshua se vdekja e gruas kishte ardhur si pasojë e asfiksisë gjatë një zjarri të rënë në banesën e saj.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë së Pogradecit shkuan në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës.
Gjatë këqyrjes së jashtme të trupit të viktimës, u konstatuan plagë të shkaktuara nga mjet prerës, gjë që ngriti dyshime se humbja e jetës nuk kishte ardhur nga asfiksia, por nga dhunë fizike.
Policia dhe Prokuroria vijuan me hetime të thelluara, duke analizuar provat dhe pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë pranë zonës ku ndodhi ngjarja.
Bazuar në këto prova, autoritetet identifikuan si autor të dyshuar shtetasin I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili rezulton të ketë pasur një lidhje bashkëjetese me viktimën për afro tre vite.
Sipas Policisë, mëngjesin e së hënës, I. S. ka goditur me thikë bashkëjetuesen e tij, shtetasen K. T., 52 vjeçe, brenda banesës së saj.
Pas kryerjes së krimit, ai dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës me qëllim për të fshehur gjurmët dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes rreth orës 05:00 të mëngjesit.
Hetimet e shpejta dhe ndërhyrja e menjëhershme e Policisë kanë bërë të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe ndalimin për veprime të mëtejshme.
Provat e mbledhura, përfshirë dëshmitë, pamjet filmike dhe gjetjet kriminalistike, përforcojnë dyshimet për autorësinë e 31-vjeçarit.
Shtetasi I. S. tashmë ndodhet në pranga dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Korçës, ndërsa hetimet për të sqaruar çdo detaj rreth motivit dhe rrethanave të plota të ngjarjes vijojnë.