Në kulmin e sezonit turistik, qyteti bregdetar i Sarandës është përfshirë nga një valë shqetësuese e ngjarjeve kriminale, duke rritur pasigurinë si për banorët ashtu edhe për mijëra pushues që e vizitojnë zonën. Fatkeqësisht, Policia lokale nuk po tregon efikasitet në përballimin e situatës.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Persona të armatosur dhe individë në kërkim lëvizin lirshëm në qytet, ndërsa arrestimet ndodhin kryesisht si rezultat i rastësive, dhe jo i operacioneve të planifikuara. Incidentet me armë dhe përplasjet fizike janë bërë tashmë një pamje e zakonshme në sy të turistëve, duke ndikuar negativisht në imazhin e qytetit dhe klimën e turizmit.
Komisariati i Sarandës drejtohet prej dhjetorit të kaluar nga Gëzim Bashllari, i cili sipas zhvillimeve të fundit, duket se nuk ka arritur të vendosë rendin dhe sigurinë në territorin që mbulon. Rritja e incidenteve me rrezikshmëri të lartë e thekson dështimin institucional.
Në harkun e pak ditëve, janë shënuar disa ngjarje të rënda me persona të njohur për precedentë penalë. Më 8 korrik, në Ksamil u arrestua një shtetas nga Kosova që udhëtonte me armë zjarri në automjetin e tij luksoz, gjatë një operacioni të rastësishëm të quajtur “Impact”.
Tre ditë më vonë, më 11 korrik, në rrugën “Butrinti” u ndalua një automjet luksoz me tre të rinj nga Kamza, ku njëri prej tyre rezultoi në kërkim dhe i armatosur. Ai tentoi të largohej duke u hedhur në det, por u kap nga policia kufitare me ndihmën e një skafi.
Ndërkohë, një tjetër person në këtë makinë, Ervis Cukali, kishte një histori të gjatë penale, përfshirë akuza për përgatitje atentatesh me eksploziv dhe posedim armësh. Ai ishte arrestuar edhe më herët, në vitin 2023, për përgatitje të një atentati të dyshuar në Fier.
Më 17 korrik ndodhi një tjetër incident i rëndë, ku dy grupe u përplasën me armë zjarri në mes të ditës, në lagjen nr. 4 të Sarandës. Nga të shtënat mbetën të plagosur dy të rinj, ndërsa si autorë u identifikuan dy vëllezër me precedentë penalë. Policia gjeti në vendin e ngjarjes edhe një armë zjarri të fshehur në një çantë.
Më 19 korrik, një tjetër akt dhune tronditi pushuesit në Ksamil, kur pronari i një hoteli u dhunua brutalisht me sende të forta nga tre persona të tjerë, të cilët gjithashtu kishin biznese në zonë. Pamjet e përgjakura të viktimës u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Vetëm një ditë më vonë, më 20 korrik, u raportuan të shtëna të tjera me armë zjarri në të njëjtën lagje të qytetit. Gjatë incidentit u plagos një ish-polic, Adil Veli, i cili sipas raportimeve u godit me tytën e armës. Policia deklaroi se arma ishte shkrepur “në mënyrë të pavullnetshme”, pa dhënë të dhëna për autorët.
Deklarata e policisë u prit me skepticizëm, pasi në vend që të publikonte emrat apo inicialet e të dyshuarve, theksoi se po punonte për identifikimin e tyre. Kjo ngjalli dyshime mbi seriozitetin e hetimeve dhe mbi motivet e komunikatës zyrtare.
Kjo seri ngjarjesh brenda një periudhe kaq të shkurtër tregon një përkeqësim të ndjeshëm të rendit publik. Saranda, që dikur cilësohej një destinacion i qetë turistik, po kthehet në një zonë me rrezik të lartë për sigurinë.
Me pesë ngjarje të rënda kriminale brenda më pak se dy javësh, qyteti po sfidohet rëndë nga fenomeni i “ligjit të të fortëve”, ku përplasjet me armë, dhuna fizike dhe prania e individëve me precedentë penalë janë bërë pjesë e përditshmërisë.
Në këtë situatë, qytetarët dhe vizitorët kërkojnë përgjegjësi, veprim të menjëhershëm dhe rikthim të autoritetit të shtetit, për të ndalur degradimin e rendit në një nga qytetet më të rëndësishme bregdetare të Shqipërisë.