Banorët e Thethit janë përplasur sërish sot me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe forcat e policisë, gjatë ndërhyrjes për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike. Një prej sipërmarrësve lokalë, i prekur nga aksioni, ka deklaruar për Euronews Albania se objektet e tij ishin ndërtuar me mund e përkushtim, dhe se dëmet janë të mëdha pasi shumë turistë tashmë nuk kanë ku të akomodohen.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas tij, toka u përket banorëve të Thethit dhe “nuk do të lëshohet pa gjak”. Ai akuzoi qeverinë për tolerim të qëllimshëm të ndërtimeve pa leje, duke pretenduar se kjo është bërë për të fituar vota nga komuniteti lokal.
“Kanë ardhur shumë turistë, edhe në media është folur. Janë ndjerë të frikësuar. Qëllimi është i qartë: të trembin rininë që të largohet, siç ka ndodhur në pjesën tjetër të vendit. Ne nuk do të dorëzojmë trojet tona – as të parët tanë nuk i kanë dorëzuar,” u shpreh ai.
Ai tha se nuk do të lejojë zhvillimin e mëtejshëm të biznesit në zonë nga persona që nuk janë banorë të Thethit, duke theksuar se bujtinat duhet të jenë në duar lokale.
“Bujtinën e ndërtova me djersë dhe mund. Edi Rama e ka prishur, por do ta rindërtoj sërish. Nuk do ta dorëzojmë. Të gjithë të tjerët mund të vijnë vetëm për pushime të përkohshme. Toka është e Thethit dhe nuk do ta lëshojmë.”
Ai gjithashtu pretendon se ndërhyrja është bërë pa paralajmërim të mjaftueshëm: “Nuk na lanë as kohë. Vetëm një orë na dhanë, dhe me fadromën pas nesh.”
Banorët thonë se ndërtimet në zonë kanë nisur që në vitin 1997 dhe se edhe autoritetet vendore, përfshirë Bashkinë e Shkodrës, kanë toleruar këto ndërtime për vite me radhë.