Shkencëtarët paralajmërojnë për një tsunami apokaliptik në bregun perëndimor të SHBA-ve dhe Kanadasë, që mund të godasë me valë deri në 30 metra lartësi, duke shkaktuar pasoja shkatërrimtare.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Një studim i ri paralajmëron për një tërmet gjigant me magnitudë të paktën 8 Rihter në zonën e quajtur “Cascadia Subduction Zone”, që shtrihet në veriperëndim të Amerikës së Veriut. Ky tërmet pritet të ndodhë para vitit 2100.
Sipas parashikimeve, gjasat që tërmeti të ndodhë në 50 vitet e ardhshme janë rreth 37%, shumë më të larta se vlerësimet e mëparshme, që shkonin nga 10% deri në 15%.
Zona tektonike e Cascadia është një plasaritje e gjatë rreth 1 000 kilometra, që fillon nga veriu i ishullit Vancouver në Kanada dhe përshkon bregun e shteteve të Uashingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë në SHBA.
Në këtë zonë, pllaka e Paqësorit (Juan de Fuca) fundoset nën pllakën e Amerikës së Veriut, duke krijuar presion të madh nëntokësor, i cili, me kalimin e kohës, çliron energji përmes tërmeteve të fuqishme.
Nëse kjo energji çlirohet në një tërmet të madh, shkencëtarët paralajmërojnë se menjëherë pas tij do të ndodhë edhe një tsunami me valë që mund të arrijnë deri në 30 metra. Këto valë do të godasin drejtpërdrejt qytetet bregdetare.
Një ekip ndërkombëtar i drejtuar nga Politekniku i Virxhinias thekson se një ngjarje e tillë do të kishte pasoja katastrofike. Bregdeti do të fundoset me 2.5 metra dhe përmbytja do të jetë masive.
FEMA, Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave në SHBA, vlerëson se një tërmet i tillë mund të shkaktojë vdekjen e mbi 5 mijë personave, ndërsa tsunamit që pason mund t’i atribuohen edhe 8 mijë humbje të tjera jete.
Studimi thekson se nëse kjo ndodh në fund të shekullit, pasojat do të jenë edhe më të rënda për shkak të ngritjes së nivelit të detit, e cila mund të arrijë deri në 60 centimetra për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një raport i mëhershëm i FEMA kishte vlerësuar se në një skenar të tillë, mbi 100 mijë persona do të plagosen dhe më shumë se gjysmë milioni ndërtesa do të rrëzohen, me dëme që mund të kalojnë 130 miliardë dollarë.
Transformimi i bregdetit do të jetë i pakthyeshëm. Zonat e përmbytshme do të zgjerojnë sipërfaqen e tyre me mbi 300 kilometra katrorë, duke prekur rrugë, shtëpi, shkolla dhe infrastrukturë të rëndësishme.
Sipas shkencëtarëve, energjia në këtë zonë është akumuluar për më shumë se tre shekuj. Tërmeti i fundit i madh ndodhi më 1700, duke krijuar një tsunami që goditi Kanadanë dhe Japoninë. Me kalimin e kohës, rreziku vetëm sa po rritet.