Një turist amerikan u grabit në momentin që po bënte check-in në një hotel luksoz në Milano. Ai raportoi se i ishin vjedhur katër orë të shtrenjta të markës Richard Mille, të vlerësuara në total 600 mijë euro, së bashku me AirPods, portofolin, karta krediti dhe para cash – 600 dollarë dhe 300 euro.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

Vetëm një ditë pas vjedhjes, ndodhi një kthesë e pazakontë. Hajduti e riktheu çantën me të gjitha sendet brenda, duke e lënë në hollin e hotelit në orët e para të mëngjesit. Ajo u gjet nga një roje sigurie.

Brenda çantës ndodhej një shënim i shkruar me dorë nga vetë hajduti. Ai shkruante: “Mbaji, janë fallco dhe nuk kishte para”. Ky detaj habiti jo vetëm policinë, por edhe vetë turistin, që më parë kishte deklaruar se orët ishin origjinale dhe shumë të kushtueshme.

Shënimi ngriti dyshime mbi vërtetësinë e sendeve të raportuara si të vjedhura, ndërsa policia nisi hetimet për të kuptuar të vërtetën.

Një ditë më parë, stafi i hotelit kishte sinjalizuar policinë për një person të dyshimtë që qëndronte pranë zonës së check-in, duke vëzhguar klientët. Ai u ndalua dhe rezultoi të ishte një shtetas francez, 27 vjeç, i cili shërbente si ndërmjetës në grabitje.

Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij kishte arritur të largohej me çantën e mbushur me sende të vlefshme.

Falë kamerave të sigurisë, hetuesit arritën të identifikojnë autorin kryesor të vjedhjes – një 19-vjeçar me origjinë marokene, i njohur nga autoritetet për precedentë penalë në vjedhje.

Policia ka ndaluar tashmë personin që shërbente si bashkëpunëtor dhe është në ndjekje të të dyshuarit kryesor, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe vërtetimin e origjinalitetit të sendeve.

Ngjarja ka ngjallur debat dhe dyshime, duke bërë që policia të trajtojë me kujdes çdo detaj të dhënë nga turisti. Shënimi i hajdutit, që mohon vlerën dhe autenticitetin e sendeve, mund të ndryshojë rrjedhën e hetimeve.

Në pritje të zbardhjes së plotë, incidenti mbetet një shembull i pazakontë ku një grabitje luksi kthehet në një histori misterioze me shumë pikëpyetje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *