Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi të shkarkojë nga detyra prokuroren e Shkodrës, Marsida Frashëri, pas shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Gjatë seancës, përfaqësuesi i SPAK, prokurori Klodian Braho, theksoi se Frashëri kishte probleme të theksuara në aspektin profesional dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Ai kërkoi ndryshimin e vendimit të mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte pezulluar për një vit dhe e kishte dërguar për trajnim në Shkollën e Magjistraturës, duke e konfirmuar më pas në detyrë.
Sipas KPA-së, gjatë procesit të vetingut, Frashëri kishte dështuar të kryente veprime hetimore në dhjetëra çështje.
Edhe pse ajo kishte deklaruar se kishte pasur ngarkesë të lartë në punë, hetimet administrative dhe disiplinore e kishin nxjerrë në pah përsëritjen e mangësive në ushtrimin e funksionit.
Një pjesë e çështjeve të saj u pushuan për shkak të parashkrimit, pasi nuk ishin kryer veprimet e duhura hetimore.
Frashëri kundërshtoi ankimin, duke pretenduar se vendimi për pezullim ishte përfundimtar dhe i paankimueshëm, si dhe se kishte marrë vlerësime pozitive për figurën dhe pasurinë.
Ajo gjithashtu argumentoi se mungesa e një rekomandimi nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe mungesa e problemeve në dy nga tre kriteret e rivlerësimit, duhej të merreshin parasysh.
Megjithatë, KPA vlerësoi se shkeljet e përsëritura dhe mungesa e përmirësimit profesional e bënë të papërshtatshme për të vijuar në detyrë dhe vendosi shkarkimin e saj.