Brenda disa viteve të ardhshme, Rusia mund të jetë gati për të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj vendeve të NATO-s. Paralajmërimi u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference në Londër të organizuar nga instituti “Chatham House”.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Rutte theksoi se aleatët duhet të rrisin menjëherë shpenzimet për mbrojtjen dhe të përforcojnë kapacitetet e tyre ushtarake, përballë një Rusie që po bëhet gjithnjë e më agresive dhe e pajisur me teknologji moderne ushtarake.
Ai shpjegoi se Rusia po prodhon sasi të mëdha municionesh shumë më shpejt se vendet e NATO-s, duke krijuar një disbalancë të dukshme në kapacitetet ushtarake të dyja palëve.
Sipas Rutte, industria ushtarake ruse është zgjeruar ndjeshëm dhe këtë vit pritet të prodhojë një numër të madh tankesh, mjeteve luftarake dhe raketash të tipit Iskander, çka tregon përgatitjen për një përballje të mundshme.
Shefi i NATO-s paralajmëroi se Rusia do të jetë e gatshme të përdorë forcën kundër aleancës perëndimore brenda një kohe të shkurtër dhe theksoi se askush nuk duhet të jetojë me iluzione për këtë rrezik.
Ai u shpreh se aktualisht të gjitha shtetet anëtare të NATO-s duhet ta konsiderojnë veten në krahun lindor, për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë nga Moska.
Rutte theksoi se raketat më të fundit ruse janë hipersonike dhe mund të arrijnë kryeqytetet evropiane për disa minuta, çka rrit ndjeshëm rrezikun dhe kërkon përgatitje të menjëhershme nga ana e NATO-s.
Fjalimi i tij u mbajt në prag të një samiti të rëndësishëm që do të zhvillohet në Hagë, ku do të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili rikthehet në skenën e NATO-s me qëndrimin e tij të njohur “Amerika e para”.
Duke adresuar shqetësimet për një tërheqje të mundshme të SHBA-ve nga Evropa, Rutte u përpoq të qetësonte aleatët duke thënë se një lëvizje e tillë nuk do të ndodhë. Megjithatë, ai pranoi se fokusi i SHBA-së është zhvendosur drejt Azisë për shkak të kërcënimit nga Kina.
Sipas tij, ky ndryshim strategjik i Uashingtonit do të ndodhë në mënyrë të kujdesshme dhe të koordinuar, pa krijuar boshllëqe në aftësitë mbrojtëse të NATO-s në Evropë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur sigurinë kolektive.