Më 6 maj (sot), India ka ndërmarrë një sulm me raketa ndaj territorit të Pakistanit, në kuadër të një operacioni të quajtur “Operacioni Sindoor”. Objektiv i sulmit ishin tre qytete pakistaneze: Kotli, Bahawalpur dhe Muzaffarabad. Sipas autoriteteve pakistaneze, sulmi shkaktoi të paktën 3 viktima dhe 12 të plagosur, përfshirë edhe civilë.

VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!

India deklaroi se ky veprim ishte përgjigje ndaj një sulmi terrorist të ndodhur më 22 prill në Pahalgam, ku humbën jetën 26 persona – shumica turistë. Sipas Indisë, përgjegjës për sulmin janë militantë me lidhje në Pakistan.

Ministria indiane e Mbrojtjes theksoi se goditjet ishin të “matura dhe të sakta”, duke shmangur objektivat ushtarake për të mos përshkallëzuar më tej krizën.

Pakistani e cilësoi sulmin si “akt lufte” dhe paralajmëroi një kundërpërgjigje në kohën dhe mënyrën që ata do të vendosin. Autoritetet pakistaneze konfirmuan se raketat u lëshuan nga hapësira ajrore indiane dhe se avionët e tyre luftarakë u ngritën menjëherë pas sulmit.

Kujtojmë që India dhe Pakistani janë dy fuqi bërthamore, ndërsa rajoni i Kashmirit ka qenë për vite me radhë një vatër e nxehtë konflikti mes tyre. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime serioze në komunitetin ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *