Turqia ka thirrur ambasadorin e Ukrainës dhe të ngarkuarin me punë në detyrë të Rusisë në Ministrinë e Jashtme, për t’u shprehur shqetësimet lidhur me një varg sulmesh ndaj anijeve të lidhura me Rusinë brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike në Detin e Zi.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Thirrja e diplomatëve u bë e ditur të enjten nga zëvendësministrja e Jashtme e Turqisë, Berris Ekinci, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Ekinci u shpreh para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme se situata ka marrë një përshkallëzim serioz javët e fundit.
Sipas saj, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në një fazë të re sulmesh të ndërsjella, duke shtuar rrezikun për sigurinë në rajon.
Ajo theksoi se së fundi kanë ndodhur sulme të caktuara në Detin e Zi, madje edhe brenda zonës ekskluzive ekonomike të Turqisë.
Këto incidente kanë shkaktuar shqetësim të madh në Ankara, e cila ka kërkuar shpjegime nga të dyja palët.
Ndërkohë, tensionet në Detin e Zi janë rritur edhe më shumë pas komenteve të fundit të presidentit rus, Vladimir Putin.
Putin kërcënoi të martën se Rusia mund ta lërë Ukrainën të izoluar nga deti, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me dronë ndaj anijeve të ashtuquajtura të “flotës në hije” të Rusisë.
Ai deklaroi se sipas tij, izolimi detar do ta bënte të pamundur piraterinë dhe ndërhyrjet e Ukrainës në transportet ruse.
Në komentin e transmetuar në televizion, kreu i Kremlinit nënvizoi se Moska do të shtojë sulmet ndaj objekteve dhe anijeve ukrainase.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi masa të reja ndaj anijeve transportuese të shteteve që, sipas Rusisë, po mbështesin Ukrainën në këtë konflikt.
Situata mbetet e tensionuar dhe Turqia po tenton të mbajë një qëndrim të balancuar, duke kërkuar të shmangë përshkallëzimin në ujërat e saj.