Një tragjedi e rëndë ka ndodhur sot në një çerdhe në Parma të Italisë, ku një fëmijë rreth njëvjeçar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Sipas raportimeve paraprake, fëmija ka pësuar një atak kardiak gjatë gjumit të pasdites, duke shkaktuar panik te edukatoret dhe stafi i çerdhes.
Në momentin që u vu re gjendja e tij, personeli ndërhyri menjëherë duke tentuar ringjalljen e fëmijës me procedurat e para të ndihmës së shpejtë.
Pavarësisht përpjekjeve të para, gjendja e tij mbeti kritike dhe ai u transportua me urgjencë drejt spitalit më të afërt.
Mjekët vijuan përpjekjet për ta stabilizuar, por fatkeqësisht fëmija ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e ndalimit të zemrës.
Hetuesit do të analizojnë dinamiken e çerdhes, orarin e gjumit, monitorimin e fëmijëve dhe çdo detaj tjetër që mund të ndihmojë në sqarimin e kësaj humbjeje tragjike.
Kryebashkiaku i Parmës, Michele Guerra, reagoi menjëherë, duke e quajtur ngjarjen një goditje të dhimbshme për qytetin.
Ai u shpreh se një jetë e re e ndërprerë kaq papritur është një tragjedi që i lë të gjithë pa fjalë dhe theksoi se institucionet janë pranë familjes në këtë moment të vështirë.
Guerra shprehu mbështetje të plotë edhe për stafin e çerdhes, të cilët janë të tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe po bashkëpunojnë me autoritetet.
Ai bëri thirrje që familja të mbështetet me gjithë humanitetin e mundshëm dhe që mos të nxirren përfundime të nxituara pa përfunduar hetimet.
Komuniteti Brucoverde, i cili menaxhon çerdhen, ka deklaruar se do të qëndrojë pranë prindërve të fëmijës dhe stafit, duke e quajtur këtë moment një nga më të errëtit që kanë përjetuar.
Ngjarja ka hapur një debat të ri mbi sigurinë në çerdhe dhe protokollet e monitorimit të fëmijëve gjatë gjumit, tema që pritet të diskutohet gjerësisht në ditët në vijim.